«Secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj» (Mateu 20:26, 27).

Ka dy lloje të madhështisë në Dhiatën e Re dhe është e dobishme t’i dallojmë ato. Ka një madhështi që lidhet me pozitën e dikujt dhe një madhështi tjetër që lidhet me karakterin personal të dikujt.

Duke folur për Gjon Pagëzorin, Jezusi tha se nuk ka patur asnjë profet më të madh se ai (Luka 7:28). Këtu Shpëtimtari po fliste për madhështinë e pozitës së Gjonit. Asnjë profet tjetër nuk kishte patur privilegjin të ishte pararendësi i Mesias. Kjo nuk do të thotë që Gjoni kishte një karakter më të mirë se ndonjë prej profetëve të Dhiatës së Vjetër, por vetëm se detyra që i ishte ngarkuar ishte unike – paraqitja e Qengjit të Perëndisë që heq mëkatin e botës.

Në Gjoni 14:28 Jezusi u tha dishepujve: «Ati im është më i madh se unë». A kuptoi Ai se Ati i Tij ishte më i madh personalisht. Jo, pasi të gjithë anëtarët e Hyjnisë janë të barabartë. Ai tha se Ati ishte i kurorëzuar në lavdinë qiellore, ndërsa Ai vetë po përbuzej dhe refuzohej nga njerëzit në tokë. Dishepujt duhet të gëzoheshin për faktin që Jezusi po kthehej tek Ati, pasi atëherë Ai do të kishte të njëjtën pozitë të lavdishme si Ati.

Të gjithë besimtarët gëzojnë një pozitë të madhe për shkak të identifikimit të tyre me Zotin Jezus. Ata janë bij të Perëndisë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Jezus Krishtin.

Por më pas Dhiata e Re flet edhe për madhështinë personale. Për shembull, në Mateu 20:26, 27 Jezusi tha: «Secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj; dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj». Madhështia këtu është një madhështi e karakterit personale, që demonstrohet nga një jetë shërbimi për të tjerët.

Shumica e njerëzve janë të interesuar vetëm për madhështinë për sa i përket pozitës së tyre. Zoti Jezus iu referua kësaj kur tha: «Mbretërit e kombeve i sundojnë ata, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi ta quhen bamirës» (Lu. 22:25). Por për sa i përket karakterit personal, ata mund të jenë krejt pa madhështi. Ata mund të jenë shkelës të kurorës, mashtrues dhe pijanecë.

I krishteri kupton se madhështia e pozitës pa madhështinë e karakterit është e pavlerë. Çfarë ka brenda dikujt është ajo që ka rëndësi. Fryti i Frymës është më i rëndësishëm se një post i lartë në shkallën e korporatës. Është më mirë që të radhitesh midis shenjtorëve sesa midis yjeve.

Pyetja Mahnitese