Kalvinisti – Poeme nga John Piper

Kalvinisti – Poeme nga John Piper

Shihe të gjunj’zuar,
lutet pa pushuar.
Ja, synimi i tij:
“Emrit Tënd – shenjt’ri!”

Para Fjalës rri
i qetë, me siguri,
zjarrin e ushqen
sa flaka e rrëmben.

Mbi librat e tij:
Pemë, me ujë përbri,
rrënja pi pa fund
sa dega jep fryt.

Ja, me laps në dorë:
Rreshtin shkroi, por
ndërron sërish mendim
nga Fjala në meditim.

Shihe, jashtë në botë,
kurthi s’e zë dot:
Të vërtetën çmon,
ethshëm e gjurmon.

Në rrugë, e shikon?
Njerëzit përgjëron,
qetë, me vlerësim:
“E njeh Mbretin tim?”

Debaton pa ngutur,
i sigurt, i patundur,
Fama që kërkon
është emri i Atit tonë.

Tek punon, e këqyr?
Plani u bë qyshkur.
Njeriut çdo dhunti
ia jep veç Ati i tij.

Në tryezë, shikoje,
lutet me mirënjohje
që në çdo shijim
të ndiejë Perëndin’.

Me fëmijën e vet
buzëqesh, e sheh?
Ka qeshur kurrë kaq fort,
i ulur kështu përtokë?

Me nusen e tij,
model për çdo njeri:
skenë vërtet hyjnore,
ajo, princeshë qiellore.

Gabon. Edhe rënkon.
“Një Zot ka”, e pranon.
“Po unë, çfarë jam vallë?
“Njeri e mëkatar”.

Shihe në vajtim.
“Të vij në pendim?”
“Po. Dhe pastaj shpall:
Veç për Tënden famë!”

Shih! Po adhuron.
Ky mëkatar këndon,
nga zjarri i pacak
shpëtuar nga një Gjak.

Sheh në breg matanë:
“Nga vjen ky oqean?”
“Nga Zoti Perëndi,
një gllënjkë dashuri”.

Ja, tani, në gjumë.
shih, po çlodhet shumë,
s’është meritë e tij,
as kur zgjuar rri.

Kur vdekja troket,
dëgjo se ç’fjalë flet
mes dhimbjes pa pushim:
“Fitore!” pëshpërin.

Ndalohet peshkimi i mekateve

Ndalohet peshkimi i mekateve

«Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre» (Hebrenjve 10:17).

Aftësia që ka Perëndia për të harruar mëkatet që janë mbuluar nga gjaku i Krishtit është një nga të vërtetat në Shkrim më qetësuese për shpirtin.

Është një habi e madhe kur lexojmë: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona» (Psa. 103:12). Është një mrekulli që ne mund të themi bashkë me Ezekian: «Ti i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia» (Isa. 38:17). Hutohemi në mendjen tonë kur dëgjojmë Zotin duke thënë: «I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë» (Isa. 44:22). Por është akoma më e mrekullueshme kur lexojmë: «Unë do ta fal paudhësinë e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre» (Jer. 31:34).

Kur i rrëfejmë mëkatet tona, Ai jo vetëm që fal, por harron menjëherë. Ne nuk jemi duke e zmadhuar të vërtetën kur themi që Ai i varros menjëherë mëkatet tona në detin e harresës së Tij. Kjo ilustrohet nga përvoja e një besimtari që kishte një luftë të vazhdueshme me një mëkat që e ngacmonte. Në një çast dobësie, ai iu dorëzua tundimit. Duke shkuar me nxitim në praninë e Perëndisë, ai rrëfeu: «Zot, e bëra përsëri». Më pas ai mendoi se e dëgjoi Zotin duke thënë: «Çfarë the që ke bërë përsëri?». Sigurisht, ideja këtu është që në atë gjysmë sekondë pas rrëfimit, Perëndia tashmë e kishte harruar.

Ky është një paradoks i hirshëm – që Perëndia i gjithëdijshëm mund të harrojë. Nga njëra anë Ai di gjithçka. Ai i numëron yjet dhe i vë emër secilit prej tyre. Ai numëron lëvizjet tona dhe mban shënim numrin e lotëve tanë. Ai shënon rënien e harabelit. Ai numëron flokët e kokës sonë. Dhe, prapëseprapë, Ai i harron ato mëkate që janë rrëfyer dhe braktisur. David Semandsi (David Seamands) thotë: «Unë nuk e di se si gjithëdija hyjnore mund të harrojë, por e di që kjo ndodh».

Është edhe një pikë e fundit! Është thënë shumë bukur që kur Perëndia fal dhe harron, Ai vendos një tabelë që lexon «Nuk lejohet peshkimi». Është e ndaluar për mua që të peshkoj mëkatet e kaluara ose mëkatet e të tjerëve që Perëndia i ka falur. Në këtë drejtim ne duhet të kemi një kujtesë të dobët dhe një harresë të mirë.

Nga goja e dy ose tre dëshmitarëve

Nga goja e dy ose tre dëshmitarëve

«…që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve» (Mt. 18:16).

Për sa i përket Biblës, është e domosdoshme dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve për të formuar një gjykim të vlefshëm. Sikur të zbatonim vetëm këtë parim, do ta ruanim veten nga një oqean problemesh.

Prirja e natyrshme për ne është të dëgjojmë anën e vetëm një njeriu dhe të vendosim menjëherë në favor të tij. Ai tingëllon bindshëm dhe simpatia tonë shkon tek ai njeri. Por më vonë mësojmë se rrëfimi i tij ishte vetëm njëra anë e ngjarjes. Kur dëgjojmë anën tjetër kuptojmë se njeriu i parë i kishte shtrembëruar faktet ose të paktën i kishte ngjyrosur ato në favor të tij. Kështu, «i pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë, por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton» (Fja. 18:17, NASB). Kur marrim një vendim pa asnjë përpjekje për të përcaktuar të gjitha faktet, ne veprojmë me më pak drejtësi se sistemi gjyqësor i botës dhe e vendosim veten nën censurën e Fjalëve të Urta 18:13,: «Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet».

Kur Tsiba i raportoi Davidit se Mefiboshethi shpresonte të fitonte fronin, Davidi e pranoi këtë gojosje pa asnjë hetim dhe të gjithë pronën e Mefiboshethit ia dha Tsibës (2 Sam. 16:1-4). Më vonë Mefiboshethi pati një mundësi për t’i treguar mbretit faktet e vërteta. Atëherë Davidi kuptoi se kishte marrë një vendim pa patur prova të mjaftueshme.

Zoti Jezus e kuptoi këtë parim. Ai tha se dëshmia e Tij për Veten nuk ishte e mjaftueshme (Gjoni 15:31). Kështu Ai paraqiti dëshminë e katër dëshmitarëve: Gjon Pagëzori (v. 32-35), veprat e Tij (v. 36), Perëndia, Ati (v. 37, 38); Shkrimet (v. 39, 40).

Kur dështojmë të sigurojmë dëshminë kompetente të dy ose tre dëshmitarëve, ne mund të thyejmë zemrat, të shkatërrojmë reputacionet, të ndajmë kishat dhe të prishim miqësitë. Nëse ndjekim Fjalën e Perëndisë, ne do të shmangim tonelata padrejtësi dhe lëndime njerëzore.

Pyetja Mahnitese