«…që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve» (Mt. 18:16).

Për sa i përket Biblës, është e domosdoshme dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve për të formuar një gjykim të vlefshëm. Sikur të zbatonim vetëm këtë parim, do ta ruanim veten nga një oqean problemesh.

Prirja e natyrshme për ne është të dëgjojmë anën e vetëm një njeriu dhe të vendosim menjëherë në favor të tij. Ai tingëllon bindshëm dhe simpatia tonë shkon tek ai njeri. Por më vonë mësojmë se rrëfimi i tij ishte vetëm njëra anë e ngjarjes. Kur dëgjojmë anën tjetër kuptojmë se njeriu i parë i kishte shtrembëruar faktet ose të paktën i kishte ngjyrosur ato në favor të tij. Kështu, «i pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë, por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton» (Fja. 18:17, NASB). Kur marrim një vendim pa asnjë përpjekje për të përcaktuar të gjitha faktet, ne veprojmë me më pak drejtësi se sistemi gjyqësor i botës dhe e vendosim veten nën censurën e Fjalëve të Urta 18:13,: «Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet».

Kur Tsiba i raportoi Davidit se Mefiboshethi shpresonte të fitonte fronin, Davidi e pranoi këtë gojosje pa asnjë hetim dhe të gjithë pronën e Mefiboshethit ia dha Tsibës (2 Sam. 16:1-4). Më vonë Mefiboshethi pati një mundësi për t’i treguar mbretit faktet e vërteta. Atëherë Davidi kuptoi se kishte marrë një vendim pa patur prova të mjaftueshme.

Zoti Jezus e kuptoi këtë parim. Ai tha se dëshmia e Tij për Veten nuk ishte e mjaftueshme (Gjoni 15:31). Kështu Ai paraqiti dëshminë e katër dëshmitarëve: Gjon Pagëzori (v. 32-35), veprat e Tij (v. 36), Perëndia, Ati (v. 37, 38); Shkrimet (v. 39, 40).

Kur dështojmë të sigurojmë dëshminë kompetente të dy ose tre dëshmitarëve, ne mund të thyejmë zemrat, të shkatërrojmë reputacionet, të ndajmë kishat dhe të prishim miqësitë. Nëse ndjekim Fjalën e Perëndisë, ne do të shmangim tonelata padrejtësi dhe lëndime njerëzore.