«Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be» (Mt. 26:74).

Një peshkop po ecte vetëm në kopshtin e tij një ditë, duke përsiatur mbi aktivitetet e javës së kaluar. Kur i kaloi në mendje kujtimi i një incidenti të ngatërruar, ai lëshoi një varg pasthirrmash që ishin disi të kripura, të themi më të paktën. Një prej anëtarëve të famullisë, që po ecte në anën tjetër të murit të lartë të kopshtit, e dëgjoi gjuhën jo të përshtatshme për një meshtar dhe shfryu me mosbesim.

Ky ishte një rast i blasfemisë private – një sprovë dëshpëruese në jetën e shumë bijve të sinqertë të Perëndisë. Me qindra rënkojnë nën shtypjen e këtij zakoni të shëmtuar, duke kuptuar sa çnderuese është për Zotin dhe sa ndotëse është në jetën e vetë personit. Dhe të gjitha përpjekjet për ta lënë këtë zakon dalin të pafrytshme.

Fjalët e papëlqyera dalin zakonisht kur personi është vetëm (ose ai mendon se është vetëm) dhe kur gjendet nën tension nervor. Ndonjëherë ato janë shprehja e dëgjueshme e zemërimit të fshehur. Ndonjëherë ato u hapin rrugën ndjenjave të acarimit. Në rastin e peshkopit ato ishin reagimi i tij i natyrshëm ndaj turpit që të vë në siklet.

Por më e keqe se agonia e blasfemisë private është frika se një ditë fjalët do të bëhen publike pa rënë në sy. Ose kur jemi në gjumë. Ose kur jemi nën ndikimin e anestezisë në spital.

Ky zakon i vjetër iu kthye Pjetrit natën e gjyqit të Shpëtimtarit. Kur iu vu në pah se ishte një prej shoqëruesve të Jezusit nga Galileja, ai e mohoi këtë me mallkime dhe be (Mt. 26:74). Ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë në një gjendje të çlodhur, por tani ai ndodhej në rrezik dhe detyrim ekstrem dhe fjalët dolën me tërë lehtësinë e ditëve të tij para kthimit.

Pavarësisht nga qëllimet tona më të mira dhe rezolutat tona më të sinqerta, fjalët dalin para se të kemi një mundësi për të menduar. Ato na kapin krejt të papërgatitur.

A duhet të dëshpërohemi për të arritur ndonjëherë mposhtjen e këtij Goliathi në jetën tonë? Jo, kemi premtimin e fitores mbi këtë si mbi të gjitha tundimet e tjera (1 Kor. 10:13). Së pari, ne duhet ta rrëfejmë dhe braktisim mëkatin sa herë që biem. Më pas duhet t’i thërrasim Perëndisë që të vendosë një roje para buzëve tona. Ne duhet të kërkojmë fuqinë për t’iu përgjigjur rrethanave të pafavorshme të jetës me vetëpërmbajtje dhe qetësi. Ndonjëherë akti i rrëfimit të fajit te një besimtar tjetër ndihmon në thyerjen e zakonit të fortë. Së fundi, ne duhet të kujtojmë gjithnjë se, ndonëse të tjerët mund të mos na dëgjojnë në tokë, Ati ynë na dëgjon në qiell. Kujtimi i faktit se sa ofendim është për Të do të na shërbejë si një pengues i fuqishëm.

Pyetja Mahnitese