“Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët” 1 Gjonit 2:19

Çdo marrëdhënie në jetën tënde është për një arsye dhe një stinë. Përkushtimi yt ndaj familjes sate duhet të jetë për gjithë jetën; marrëdhëniet e tjera mund të kenë afate kohorë. Prandaj, kur dikush largohet, mos u përpiq që t’i bindësh për të qëndruar me ty, për të të dashur, për të të marrë në telefon, për të ardhur për të të parë apo për të qëndruar lidhur ngushtë me ty. Fati yt nuk është i lidhur me ata që largohen prej tej.

Gjoni shkruan: “Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët”.

Njerëzit largohen prej teje për shkak se nuk janë të lidhur me ty. Dhe nëse ata nuk janë të lidhur me ty, ti nuk duhet të përpiqesh që t’i bësh ata të qëndrojnë. Kjo nuk do të thotë se ata janë njerëz të këqij; thjesht do të thotë që pjesa e tyre në historinë tënde ka përfunduar.

Ti duhet ta kuptosh se kur një marrëdhënie merr fund dhe me hir t’i thuash ‘mirupafshim’, duke e ditur se cilatdo qofshin marrëdhëniet që Perëndia do që ti të kesh, Ai edhe do t’i sigurojë. Ndalo së luturi atyre që të qëndrojnë – lëri të shkojnë! Të kapesh pas një marrëdhënieje, stina e të cilës ka përfunduar, vetëm sa do të ta lëndojë zemrën. Pasi Loti u largua prej Abrahamit, ai hyri në një nivel të ri të bekimeve të Perëndisë.

Kur Orpah e la Naomin dhe u kthye në Moab, Ruthi qëndroi me të dhe si Naomi ashtu edhe Ruthi u bekuan prej Perëndisë. Ti duhet ta dish se kush i përket dhe kush nuk i përket jetës sate. Nëse po mbahesh tek dikush që nuk të përket dhe që nuk duhet të jetë pjesë e jetës tënde, fjala për ty sot është – lëri të shkojnë!

Pyetja Mahnitese