Nga goja e dy ose tre dëshmitarëve

Nga goja e dy ose tre dëshmitarëve

«…që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve» (Mt. 18:16).

Për sa i përket Biblës, është e domosdoshme dëshmia e dy ose tre dëshmitarëve për të formuar një gjykim të vlefshëm. Sikur të zbatonim vetëm këtë parim, do ta ruanim veten nga një oqean problemesh.

Prirja e natyrshme për ne është të dëgjojmë anën e vetëm një njeriu dhe të vendosim menjëherë në favor të tij. Ai tingëllon bindshëm dhe simpatia tonë shkon tek ai njeri. Por më vonë mësojmë se rrëfimi i tij ishte vetëm njëra anë e ngjarjes. Kur dëgjojmë anën tjetër kuptojmë se njeriu i parë i kishte shtrembëruar faktet ose të paktën i kishte ngjyrosur ato në favor të tij. Kështu, «i pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë, por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton» (Fja. 18:17, NASB). Kur marrim një vendim pa asnjë përpjekje për të përcaktuar të gjitha faktet, ne veprojmë me më pak drejtësi se sistemi gjyqësor i botës dhe e vendosim veten nën censurën e Fjalëve të Urta 18:13,: «Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet».

Kur Tsiba i raportoi Davidit se Mefiboshethi shpresonte të fitonte fronin, Davidi e pranoi këtë gojosje pa asnjë hetim dhe të gjithë pronën e Mefiboshethit ia dha Tsibës (2 Sam. 16:1-4). Më vonë Mefiboshethi pati një mundësi për t’i treguar mbretit faktet e vërteta. Atëherë Davidi kuptoi se kishte marrë një vendim pa patur prova të mjaftueshme.

Zoti Jezus e kuptoi këtë parim. Ai tha se dëshmia e Tij për Veten nuk ishte e mjaftueshme (Gjoni 15:31). Kështu Ai paraqiti dëshminë e katër dëshmitarëve: Gjon Pagëzori (v. 32-35), veprat e Tij (v. 36), Perëndia, Ati (v. 37, 38); Shkrimet (v. 39, 40).

Kur dështojmë të sigurojmë dëshminë kompetente të dy ose tre dëshmitarëve, ne mund të thyejmë zemrat, të shkatërrojmë reputacionet, të ndajmë kishat dhe të prishim miqësitë. Nëse ndjekim Fjalën e Perëndisë, ne do të shmangim tonelata padrejtësi dhe lëndime njerëzore.

Kur jeta të jep limonë, bëj limonadë

Kur jeta të jep limonë, bëj limonadë

«Jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam» (Fil. 4:11).

Na thuhet shpesh se nuk janë rrethanat e jetës që janë të rëndësishme; ajo që ka rëndësi vërtet është se si reagojmë ndaj këtyre rrethanave. Kjo është e vërtetë. Në vend që të përpiqemi vazhdimisht për të ndryshuar rrethanat tona, ne duhet të mendojmë më shumë për të ndryshuar veten tonë.

Ka disa mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj ngjarjeve të pafavorshme. E para është në mënyrë stoike. Kjo do të thotë se ata janë krejtësisht të pandjeshëm, kërcasin dhëmbët dhe nuk tregojnë aspak emocione. Politika e tyre është të «bashkëpunojmë me të pashmangshmen».

Të tjerë përgjigjen në mënyrë histerike. Ata marrin fund emocionalisht me të qara të mëdha, me lot dhe shfaqje fizike madhështore. Disa reagojnë me qëndrimin e humbjes. Ata dorëzohen me dëshpërim të mjerë. Në raste ekstreme, kjo mund të përfundojë në vetëvrasje.

Rruga normale e krishterë është të përgjigjesh me nënshtrim. Besimtari arsyeton: Kjo nuk ndodhi rastësisht. Perëndia kontrollon gjithçka që ndodh në jetën time. Ai nuk ka bërë ndonjë gabim. Ai e ka lejuar këtë që t’i jap lavdi Vetes, bekim të tjerëve dhe të mirën mua. Unë nuk mund ta shoh veprimin e plotë të programit të Tij, por do t’i besoj Atij gjithsesi. Kështu përkulem para vullnetit të Tij dhe lutem që Ai do të përlëvdohet dhe do të më mësojë çfarëdo që Ai dëshiron të më mësojë».

Ka edhe një mënyrë tjetër reagimi nga disa shenjtorë të zgjedhur, domethënë, mënyra superngadhënjimtare. Nuk guxoj ta fut veten midis këtij numri, edhe pse aspiroj t’i bashkohem grupit të tyre. Këta janë ata që e përdorin fatkeqësinë si një shkallë drejt fitores. Ata e shndërrojnë situatën e hidhur në ëmbëlsi dhe hirin në bukuri. Ata nuk i lënë rrethanat që t’i sundojnë, por bëjnë që rrethanat t’u shërbejnë. Në këtë kuptim, ata janë «më shumë se fitimtarë». Më lejoni t’ju jap disa ilustrime.

Ishte një grua e krishterë jeta e së cilës dukej e mbushur me zhgënjim dhe mërzitje. Por në biografinë e saj shkruhej: «Ajo bëri buqeta të mrekullueshme nga refuzimet e Perëndisë».

Besimtarët në një vend oriental janë sulmuar me gurë nga një turmë e zemëruar. Kur po këta besimtarë u kthyen, ata ndërtuan një kishë me gurët që ishin hedhur kundër tyre.

Pasi një burrë bleu një shtëpi, ai gjeti një masë të madhe shkëmbi në mes të kopshtit. Ai vendosi që të bënte një kopsht shkëmbi [malor, zakonisht me bimë alpine].

E. Stenli Xhounsi tha: «Përdori mohimet e tua dhe shndërroji në dyer». Ose, siç ka thënë dikush: «Kur jeta të jep limonë, bëj limonadë».

Më pëlqen veçanërisht historia e atij burrit që iu tha nga doktori se do ta humbte njërin sy dhe do t’i duhej të vinte një sy xhami. Përgjigjja e tij e menjëhershme ishte: «Sigurohu që të vësh një me shkëlqim». Kjo është ajo që e quaj të jetosh mbi rrethanat.

Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet…

Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet…

«Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet…» (Fja. 26:20).

Dy burra po grinden. Njëri lëshon një shpërthim të zemëruar dhe tjetri përgjigjet me një kundërshtim të thartë. Njëri sulmon nxehtësisht dhe tjetri kundërsulmon me furi të njëjtë. Asnjeri nuk është i gatshëm të ndalojë që heshtja e tij të mos i llogaritet si dobësi apo disfatë. Dhe kështu forca e zjarrit rritet dhe i lëshojnë njëri-tjetrit dallgë urrejtje.

Por ndryshoje këtë pamje. Njëri nga burrat i lëshon një zjarr gojor kundërshtarit të tij, por nuk merr asnjë zjarr nga ana e këtij të fundit. Ai përpiqet ta acarojë, ta pezmatojë, ta përgojojë dhe ta turpërojë. Por burri tjetër refuzon që të bëhet pjesë e grindjes. Përfundimisht, antagonisti kupton se po e harxhon kot kohën dhe kështu ikën tinëz, duke murmuritur dhe mallkuar. Zjarri u fik pasi i akuzuari refuzoi që t’i hidhte lëndë djegëse.

Dr. H. A. Ajrënsajdi takohej shpesh me njerëz në fund të një takimi të cilët donin të argumentonin me të për diçka që kishte thënë. Zakonisht ata kapeshin pas thërijave dhe nuk diskutonin ndonjë doktrinë themelore. Dr. Ajrënsajdi do t’i dëgjonte me durim, pastaj kur grindaveci ndalonte për të marrë frymë, ai do të thoshte: «Mirë, vëlla, kur të jemi në qiell, njëri prej nesh do ta ketë gabim dhe ndoshta do të jem unë». Kjo përgjigje e lironte në çdo rast doktorin e mirë që t’i fliste dikujt tjetër.

Si e marrim kritikën? A e mbrojmë veten, duke ia kthyer tjetrit me të njëjtën monedhë, duke lëshuar të gjitha mendimet kritike që kemi menduar ndonjëherë për personin tjetër? Apo themi me qetësi: «Vëlla, gëzohem që nuk më njeh më mirë, sepse nëse do të ishte kështu, do të kishe shumë më tepër për të më kritikuar». Një përgjigje si kjo ka shuar shumë zjarre.

Mendoj se shumica prej nesh kanë marrë dikur një letër që na ka hequr nga faqja e dheut. Reagimi i natyrshëm në një kohë të tillë është ta ngjyejmë penën tonë në acid dhe të lëshojmë një përgjigje thumbuese. Kjo e ndez zjarrin dhe mjaft shpejt midis njëri-tjetrit shkëmbehen letra të pista. Sa më mirë do të ishte që të shkruaje një përgjigje të thjeshtë si: «I dashur vëlla, nëse do të luftosh me dikë, të lutem lufto djallin».

Jeta është tepër e shkurtër të harxhohet për vetëmbrojtje, me zënka apo me fjalë të nxehta. Këto gjëra na largojnë nga ajo që është e rëndësisë së parë ose e ulin tonin tonë frymëror dhe e dëmtojnë dëshminë tonë. Të tjerët mund të jenë duke mbajtur pishtarin me të cilin të ndezin qëllimisht një zjarr, por ne kontrollojmë lëndën djegëse. Kur refuzojmë që t’i hedhim lëndë djegëse zjarrit, zjarri do të shuhet.

Ecja nëpërmjet besimit e bën tërë ndryshimin!

Ecja nëpërmjet besimit e bën tërë ndryshimin!

ec-me-besim

«Ne ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit [shikimit]» (2 e Korintasve 5:7).

A ke ndaluar ndonjëherë të mendosh përse një lojë futbolli është më emocionuese për shumë njerëz se një takim lutjeje? Dhe, megjithatë, të dhënat e pjesëmarrjes vërtetojnë se është kështu.

Ose mund të pyesim: «Përse është roli i presidentit të Shqipërisë më tërheqës se mbikëqyrja në një asamble?» Prindërit nuk i thonë bijve të tyre: «Haje ushqimin tënd dhe një ditë mund të bëhesh një plak [në kishën lokale]». Jo, ata thonë: «Fshije pjatën dhe një ditë kur të rritesh mund të bëhesh president».

Përse është një karrierë në biznes më tërheqëse se jeta e një misionari? Shpesh të krishterët i dekurajojnë fëmijët rreth shkuarjes në fushën e misionit dhe kënaqen t’i shohin ata të ngrihen për t’u bërë «zyrtarë me titull në sipërmarrje shekullare».

Përse është një dokumentar televiziv më tërheqës se studimi i Fjalës së Perëndisë? Mendo për orët e harxhuara para TV dhe çastet e nxituara para Biblës së hapur!

Përse janë njerëzit të gatshëm që të bëjmë për lekun atë që nuk do ta bënin nga dashuria për Jezusin? Shumë që janë të palodhur në punën e tyre në një korporatë janë letargjik dhe të pandjeshëm kur i thërret Shpëtimtari.

Përfundimisht, përse shquhet kombi ynë më shumë dhe më me rëndësi se Kisha? Politika kombëtare është me ngjyra dhe tërheqëse. Kisha duket shpesh se çapitet pa një dinamikë.

Arsyeja për të gjitha këto gjëra është se ne ecim nëpërmjet shikimit dhe jo nëpërmjet besimit. Vizioni ynë është shtrembëruar. Ne nuk i shohim gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. Ne e vlerësojmë të përkohshmen mbi të përjetshmen. Ne e vlerësojmë [aspektin] shpirtëror [dhe/ose mishor] më tepër se ai frymëror. Ne e vlerësojmë gjykimin e njeriut mbi atë të Perëndisë.

Kur ecim nëpërmjet besimit, gjithçka ndryshon. Ne kemi shikim frymëror normal [0/0]. Ne i shohim gjërat ashtu siç i sheh Perëndia. Ne e vlerësojmë lutjen si privilegjin e patregueshëm e të paturit audiencë të drejtpërdrejtë me Sovranin e universit. Ne shohim se një plak në një asamble do të thotë më shumë për Perëndinë se sunduesi i një kombi. Ne shohim, bashkë me Spërxhënin, se «nëse Perëndia e thërret një burrë për të qenë misionar, do të ishte tragjedi ta shihnim atë të katandisej në një mbret». Ne e shohim televizorin si një tokë imagjinare që nuk tregon realitetin, ndërsa Bibla mban çelësin për një jetë të plotësuar. Ne jemi të gatshëm të shpenzojmë dhe të shpenzohemi për Jezusin në një mënyrë që nuk do të ishim kurrë të gatshëm për një korporatë jo personale të padenjë. Dhe ne besojmë se kisha tonë lokale është më e rëndësishme për Perëndinë dhe për popullin e Tij se perandoria më e madhe në botë.

Ecja nëpërmjet besimit e bën tërë ndryshimin!

Na meso te lutemi

Ati ynë që je në qiell!
Ti je Madhështor dhe i Mëshirshëm.
Ti je shumë lart sipër nesh dhe i gatshëm të vish tek ne.
Ti ke plane për gjithë botën, madje për universin,
e megjithatë Ti kujdesesh për ne edhe në detajet më të vogla.
Ti je Mbreti
dhe Ati ynë!

U shenjtëroftë emri Yt!
Bëj që emri Yt Madhështor dhe i Shenjtë
të nderohet dhe çmohet mbi gjithçka,
veçanërisht thellë në zemrat tona
dhe kudo tjetër në botë!

Ardhtë mbretëria Jote!
Bëj që urtësia dhe autoriteti Yt sovran
të dalin fitimtarë në çdo kohë dhe vend mbi tokë
dhe në vendet më të thella të shpirtit tonë!

U bëtë vullneti Yt
në tokë ashtu si në qiell!
Bëj që vullneti Yt plotësisht i urtë,
plotësisht i mirë, plotësisht i drejtë, plotësisht i shenjtë
të bëhet përreth botës ashtu si engjëjt e bëjnë
në mënyrë të përsosur dhe me gëzim në qiell.
Bëje vullnetin Tënd realitet në secilin prej nesh!

Na jep sot bukën tonë të përditshme!
Nuk kërkojmë pasuri por mjaft për të jetuar!
Dëshirojmë të jemi të shëndetshëm dhe
të kemi një mendje dhe një trup që funksionojnë!
Ushqena që të realizojmë
atë që na ke thirrur të bëjmë!

Dhe na i fal fajet tona
siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë!
Jemi mëkatarë
dhe kemi nevojë të falemi çdo ditë.
E dimë që nuk e meritojmë.
Ne kërkojmë mëshirë. Na fal!
Na tërhiq në lirinë e dashurisë Tënde;
në dashurinë që na dhe
kur Biri Yt vdiq në vendin tonë!

Mos lejo të biem në tundim
por na shpëto nga i ligu!
Nuk dëshirojmë të vazhdojmë të mëkatojmë!
Na ruaj nga mpleksjet e tundimit të fuqishëm.
Na ruaj nga Satani,
nga gjithë veprat e tij dhe rrugët e tij.
Bëj që të ecim në shenjtëri para Teje
gjithë ditët e jetës tonë.

E ofrojmë këtë lutje
në emrin e Atij që na mësoi të lutemi.
Në emrin e Jezusit
Amen!